Fushata elektorale tashmë është në start edhe zyrtarisht. Partitë politike, ashtu si dhe më parë, i filmojnë vetë aktivitetet e tyre dhe ua dërgojmë imazhet mediave për ti transmetuar.
Situata mund të konsiderohet surreale. Institucionet qeveritare, nga vetë kryeministria, ministritë, bashkitë, institucione vartëse të tyre, dhe padyshim partitë politike, i prodhojnë vetë lajmet, intervistat dhe tekstin e informacionit dhe ua dërgojnë ato mediave.
Ato që konsiderohen si zyra shtypi, janë shndërruar në redaksi lajmesh.
Organizata Forumi i Mendimit të Lirë, ndan me ju sot këtë studim mbi fenomenin e lajmeve të gatshme, përmes monitorimit të tri mediave kombëtare vizive dhe intervistimit të mbi 60 gazetarëve dhe redaktorëve.
***
Ky grant është mundësuar nga ‘Programi i shoqërisë civile për Shqipërinë dhe Kosovën’, financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (PA). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe Partnerëve Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (PA).
Përmbledhje
Në pikun e valës së dytë të pandemisë së krijuar nga coronavirusi në vitin 2020, gazetarët që raportonin nga spitalet “Covid 19” nuk afroheshin dot më shumë nga sa e lejonte një shirit i policisë, që shënonte perimetrin e sigurisë. Por, një ditë, kryeministri Edi Rama lajmëroi në faqen e tij në rrejtet sociale: “Nesër do të ndiqni pamje ekskluzive nga vija e parë e zjarrit”. Të nesërmen, në një kanal në Facebook, i quajtur ERTV u shfaq një reportazh televiziv nga brenda Spitalit Infektiv në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë. Pacientët e intervistuar nga gazetarët e ERTV tregonin se ishin të kënaqur me shërbimet në spital dhe falenderonin mjekët. Thuajse të gjitha televizionet informative, e lidhën transetimin e tyre me televizonin “ERTV”, ndërsa të tjerët e referuan reportazhin në edicionet informative. ERTV është një “media” shumë e referuar në Shqipëri. Ajo ka ekskluzivitetin e të gjitha takimeve qeveritare, vizitave dhe konferencave ku merr pjesë kryeministri. Ai është një “kanal televiziv” i zyrës së kryeministrit, që prodhon materiale ekskluzive për aktivitetin dhe promovimin e qeverisjes, të cilat më pas publikohen edhe nga mediat e tjera. Një lajm televiziv, prodhuar nga ERTV, e më pas transmetuar nga media të tjera, tregonte për një burrë në Laç që flinte në çadër me familjen e tij, pasi i ishte shembur shtëpia nga tërmeti. Kur tendën e tij e vizitoi kryeministri, ai ishte kaq shumë i lumturuar sa tha: “Edhe sikur të mos ma ndërtosh shtëpinë, nuk dua t’ia di. Më mjafton që më erdhe ti këtu”. https://www.youtube.com/watch?v=4ta8vUCpAPg Situata mund të konsiderohet surreale. Institucionet qeveritare, duke filluar nga kryeministria, ministritë, bashkitë, institucione vartëse të tyre, dhe partitë politike, i prodhojnë vetë filmimet, intervistat dhe tekstin e informacionit dhe ua dërgojnë ato mediave. Ato që duhet të jenë zyrat e marrëdhënieve me publikun, tashmë mund të konsiderohen si redaksi të mirëfillta lajmesh. Kjo praktikë, nisi si një “histori suksesi bashkëpunimi” rreth 15 vjet më parë, në kohë fushatash elektorale, kur media pranonte materiale të gatshme të partive politike, pasi nuk mund t’i mbulonte dot të gjitha takimet e kandidatëve. Ajo u çimentua vit pas viti, si një mënyrë e të kontrolluarit tërësisht të informacionit që buron nga partitë dhe institucionet e larta qeverisëse.
Praktika e materialeve të gatshme mediatike, kryesisht në televizione, e ka ngushtuar shumë hapësirën e lirisë së medias, si dhe ka cënuar rëndë profesionalizmin e gazetarëve. Ajo cënon parimet e paanshmërisë, verifikimit dhe saktësisë së lajmit, që janë parime universale dhe themelore për gazetarët. Mediat bëjnë lajme me një burim, madje pa shkuar as në vendin e ngjarjes, pa verifikuar deklaratat dhe pa investiguar mbi to, përmes pyetjeve që mund t’u bëhen zyrtarëve. Kjo, pasi gazetarët nuk informohen për vendin dhe kohën e zhvillimit të aktivitetit dhe nuk e kanë të mundur ta ndjekin atë. Televizionet transmetojnë thuajse të njëjtat lajme nga aktivitetet e qeverisë dhe institucioneve vartëse të saj, si dhe aktivitetet e partive politike, duke dhënë të njëjtin informacion, të njëjtin tekst dhe të njëjtat prononcime të zyrtarëve. Praktika e “kasetave të gatshme” është kritikuar në mënyrë të vazhdueshme nga komuniteti i gazetarëve dhe institucionet ndërkombëtare, si zyra e Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin Europian në Tiranë. Por, përkundër kësaj, kjo praktikë erdhi duke u përsosur dhe zgjeruar.
Konkluzione
Nga intervistat dhe opinionet që ne u morëm redaktorëve dhe gazetarëve, qëndorë dhe lokalë, rezulton se: Gazetarët, në rreth 40% të rasteve, thonë se nuk informohen fare për kohën dhe vendin e zhvillimit të një aktiviteti të kryeministrit, ministrave, apo zyrtarëve të tjerë të lartë shtetërore dhe partiakë. Materiali u shkon i gatshëm, pasi aktiviteti ka përfunduar. Gazetarët, në rreth 60 % të rasteve, thonë se informohen pak minuta përpara se aktiviteti të zhvillohet, duke u informuar mbi adresën se ku ata mund ta ndjekin drejtpërdrejtë. Gazetarët, në mbi 90% të raste thonë se nuk lejohen të marrin pjesë në këto aktivitete edhe kur arrijnë të informohen për zhvillimin e tyre. Gazetarët, në thuajse 100 % të rasteve, mendojnë se për një akvitet qeveritar, lajmi do të ishte dukshëm ndryshe, nëse do ta ndiqnin vetë aktivitetin, dhe nuk do t’i referoheshin materialit që vjen i gatshëm nga zyrat e shtypit. Gazetarët, në 100% të rasteve, mendojnë se lajmet që vijnë të gatshme nga zyrat e shtypit, më shumë se sa lajme, janë materiale promocionale për zyrtarët apo institucionet.
Gazetarët, në 100% të rasteve, mendojnë se kjo praktikë ka dëmtuar profesionalizmin e tyre dhe ka dëmtuar besueshmërinë e qytetarëve tek media.
Metodologjia
Projekti monitoroi, gjatë një periudhe 2 mujore, Mars – Prill 2020, tri televizione kombëtare RTSH, Klan dhe Top Channel, për të verifikuar intensitetin e lajmeve të gatshme që përfshihen në edicionet e lajmeve. Nga monitorimi që iu bë këtyre mediave, rezultoi një mbulim realitivisht intensiv i aktiviteteve me prodhime televizive të gatshme. TV Klan transmetoi 612 lajme të prodhuara me materiale të gatshme të ardhura nga zyra e shtypit e qeverisë, ministrive, Bashkisë Tiranë, opozitës dhe institucioneve të tjera. Top Channel transmetoi 158 lajme të prodhuara me materiale të gatshme të ardhura nga zyra e shtypit e qeverisë, ministrive, Bashkisë Tiranë, opozitës dhe institucioneve të tjera. TVSH transmetoi 73 lajme të prodhuara me materiale të gatshme të ardhura nga zyra e shtypit e qeverisë, ministrive, Bashkisë Tiranë, opozitës dhe institucioneve të tjera. U intervistuan 18 redaktorë lajmesh dhe gazetarë, për të dëshmuar marrëdhënien e medias me institucionet. U organizuan 5 fokus – grupe, ku morën pjesë rreth 60 gazetarë të mediave lokale dhe korespondentë të mediave qëndrore, në 6 qarqe të vendit: Kukës, Shkodër, Elbasan, Vlorë, Korçë dhe Gjirokastër, për të mësuar raportet e medias me pushtetin vendor dhe raportimin e lajmeve që lidhen me aktivitete ku marrin pjesë zyrtarë qëndrorë.
Redaktorët dhe gazetarët u pyetën nëse ata njoftohen paraprakisht për aktivitetet që organizon apo merr pjesë kryeministri. U pyetën nëse lejohen të marrin pjesë në këto aktivitete, edhe kur arrijnë të kenë informacion mbi organizimin e këtyre aktiviteteve? U kërkua të mësohet prej tyre, se sa profesionale mendojnë ata se janë lajmet që prodhohen nga materialet e gatshme që u shkojnë nga zyrat e shtypit të institucioneve. Organizata rezervohet në publikimin e emrave të plotë të gazetarëve, për shkak se disa prej tyre mendonin se një reklamim i mendimit të tyre mbi këtë çështje mund të shkaktojë probleme me drejtuesit e medias ku ata punojnë.
Monitorimi i televizoneve 843 lajme që rezultuan se ishin ndërtuar mbi burimet e informacionit dhe filmimet e prodhuara nga zyrat e shtypit të instituconeve publike dhe partive politike, u analizuan nga ekspertë të medias mbi përmbajtjen e tyre dhe standardet profesionale. Nga analiza që iu bë lajmeve, rezulton se ato përmbajnë vetëm informacione pozitive, me karakter promovues për insitucionin dhe titullarin e tij. Rreth 60% e këtyre lajme tregojnë inspektime të punëve publike nga kryeministri, ministrat apo kryetari i Bashkisë Tiranë. Duke qenë se monitorimi u krye gjatë kohës së pandemisë, një pjesë prej këtyre lajmeve janë reagime apo deklarata të zyrtarëve të shëndetësisë, si dhe deklarata apo qëndrime me karakter politik, si nga mazhoranca ashtu dhe nga opozita. Nuk përmbushin kriteret profesionale për të qenë të transmetueshme. Janë lajme me vetëm një burim. Nuk janë lajme të ekuilibruara. Nuk referohen të gjitha palët e përmendura në lajm, në rastet kur aty adresohen akuza ndaj një pale tjetër. Në shumicën e rasteve, filmimet janë të inskenuara në terren.
Intervistimi dhe fokus grupet me gazetarët
18 redaktorë lajmesh dhe gazetarë si dhe rreth 60 gazetarë e korespondentë lokalë, dhanë mendimet e tyre përmes intervistave dhe diskutimeve në fokus grupe mbi marrëdhëniet me zyrat e shtypit të institucioneve qëndrore dhe lokale.
A.M: Njoftohemi për një aktivitet të kryeministrit, vetëm 15- 10 minuta para nisjes së aktivitetit. Njoftimi vjen përmes një mesazhi në WhatsApp. Duke qenë se aktivitetet e kryeministrit transmetohen nëpërmjet ERTV-së, në shumicën e rasteve ato janë regjistruar më herët, çfarë e bën të pamundur ndjekjen e tyre. Ne si gazetarë nuk disponojmë agjendën e Kryeministrit të paktën dy ditë para. Nëse një gazetar më parë, i shfrytëzonte burimet e tij për të zbuluar një lajm apo një nismë të qeverisë, sot ne gazetarët i përdorim burimet për të mësuar kohën dhe vendin se kur organizohen aktivitetet e kryeministrit dhe agjendën e tij.
Në të njëjtën linjë, në vitet e fundit, po vepron edhe kryetari i opozitës. E.Z: Nuk informohemi paraprakisht, por vetem disa minuta para. Kjo ndodh dhe kur ka vizita zyrtare të nivelit të lartë. Duhet të konsumosh minimalisht 5 telefonata në mëngjes për të arritur të mësosh agjendën ditore të kryeministrit.
E.K: Nuk informohemi për aktivitetet e kryeministrit dhe të ministrave, përveç rasteve të rralla kur ne ftohemi në konferenca shtypi. Njoftimet që ne marrim janë thuajse gjithmonë të karakterit “pas pak”, ose “në orën X, ndiqni në Facebook këtë ngjarje”.
E.GJ: Një pjesë e madhe e aktiviteteve zhvillohen me regji dhe TV-të marrin sinjalin përmes frekuencave ose ERTVsë, kanalit televiziv të kryeministrit në FB. Për mbledhjet partiake të kryeministrit Rama me statusin e kreut të PS-së, në pjesën dërrmuese të rasteve nuk ka njoftime.
I.M: Ka shumë raste kur ne nuk informohemi paraprakisht dhe njoftimi vjen vetëm pasi aktiviteti është kryer, është përgatitur nga zyrat e shtypit dhe është i gatshëm për t’u hedhur në mediat online, apo për t’iu dërguar redaksive me email.
R.Z: Përgjithësisht nuk njoftohemi, por edhe kur njoftohemi, bëhet fjalë për aktivitete që transmetohen në llogaritë e zyrtarëve në rrjetet sociale ku në 90 % të rasteve gazetetarët nuk lejohen. Ose gazetarët nuk kanë mundësi të ndjekin pasi marrin dijeni në momentin kur aktiviteti ndodh. Pra nuk ka kohë. Në këto kushte pritet materiali i gatshëm.
K.C: Aktivitetet e Kryeministrit njoftohen rrallë. Kryesisht vetëm pak minuta para se të shfaqen në ERTV. Kryetari i Partisë Demokratike i njoftonte përherë turet në rrethe. Por tani as kjo parti nuk i njofton më aktivitetet e kryetarit të saj.
V.L: Jo, nuk njoftohemi. Në përgjithësi shfaqen papritur Live në Facebook, madje transmetohen edhe aktivitete që janë regjistruar më parë dhe paraqiten sikur janë drejtpërsëdrejti.
E.K: Ne kërkojmë që të njoftohemi dhe të lejohemi në aktivitete që zhvillojnë zyrtarët. Le te jenë edhe kamerat e tyre, të filmojnë edhe ata dhe t’i shpërndajnë materialet e tyre. Por të jemi edhe ne, dhe ne të zgjedhim pastaj se kë material do të marrim për transmetim.
M.M: Thuajse asnjëherë ne si gazetarë lokalë të mediave qëndrore nuk jemi njoftuar për ardhjen e zyrtarëve të lartë, duke filluar nga kryeministri. Ata vijnë, zhvillojnë aktivtete, i përgatisin vetë materialet dhe ua dërgojnë redaksive dhe ne mësojnë se në qytetin tonë ka qëne një ministër apo kryeministri, vetëm pasi shikojmë lajmet në ekran.
E.R: Modeli i prodhuar nga qeveria qëndrore është shtrirë edhe ne nivel lokal, ku edhe bashkia prodhon dhe shpërndan materialet e saj. Erdhi ministri i bujqësisë në Vlorë dhe asnjë nga gazetarët lokalë nuk u informua. Mësuam për vizitën e tij vetëm kur pamë lajmet në mbrëmje, e pane Z.Çuçi tek vaskat e peshkut. Asnjë prej kolegëve tanë nuk kishte patur informacion për këtë vizitë.
B.B: Çdo lloj komunikimi ka kaluar në rrjetet sociale. Ne kërkojmë ndonjë informacion apo reagim zyrtar dhe përgjigja është: Do të hidhet në Facebook. Mediat lokale as i njoftojnë, as i sjellin materialet e gatshme. Zyrtarët e bashkisë kanë një marrëdhënie shumë të ftohtë me median.
M.D: Kukësi nuk ka ujë dhe asnjë media nuk flet për këtë. Por duket se kanosja ka shkuar shumë më shumë se kaq. Edhe pse në këto kushte, as qytetarë që të ankohen apo kritikojnë bashkinë publikisht nuk gjen, pasi të gjithë tremben nga hakmarrja e pushtetit.
B.XH: Mendoj se duhet të njoftohemi dhe të lejohemi të marrim pjesë në aktivitete. Eshtë A-ja e gazetarisë, të jesh në vendin e ngjarjes për të bërë lajmin. Duhet të jemi aktivë, t’u bëjmë pyetje zyrtarëve. Për këtë shkojmë atje, të kërkojmë më shumë informacion nga sa japin zyrtarët.
B.M: Dëgjojmë shpesh që nuk ka më gazetarë sot. Jo, gazetarë ka, por janë deformuar të gjitha kanalet e komunikimit të medias me publikun. Kryetari i bashkisë, kryetarët e partive i bëjnë deklaratat, i hedhin në rrjetet sociale dhe kjo konsiderohet një deklaratë për mediat. Një deklaratë për media, por pa gazetarë.
B.SH: Asnjë institucion nuk ofron informacion. Asnjë zëdhënës nuk të jep përgjigje, qoftë edhe për informacione të rëndomta zyrtare. Situata është alarmante, censura dhe autocensura është sot tmerri i lirisë së medias.
Xh.SH: Duhet të shikojmë edhe nga vetja, pasi shkalla e profesionalizmit të gazetarëve ka rënë. Kjo ka bërë që përpjekja për të futur materialet e gatshme të pranohet më me lehtësi.
L.XH: Materialet e gatshme kanë bërë që zyrat e shtypit të zëvendësojnë gazetarët dhe për pasojë në rastet kur ne kërkojmë të marrim informacione nga institucionet duket se po krijojmë bezdi tek zyrat e shtetit. Nuk i verifikojmë dot lajmet që japim, pasi bashkëpunimi nga institucionet është thuajse zero.
Por sa ndikon kjo procedurë në cilësinë e raportimit të gazetarëve? Sa e ka dëmtuar ajo cilësinë e medias dhe profesionalizmin e gazetarëve?
Pra, sa ndryshon lajmi i prodhuar nga informacionet dhe filmimet e gatshme që sjellin institucionet, nga lajmi që mund të bëjë vetë gazetari?
K.C: Ka ndryshim. Ka raportim kritik, ka zëra pro dhe kundër në kronikat që përgatiten nga vetë gazetarët. Ndërsa kronikat e shpërndara nga zyrat e shtypit të institucioneve kanë vetëm informacione pozitive, që i shërbejnë më shumë PR-it të titullarit dhe jo informimit publik.
E.Z: Sigurisht që ndryshimi është rrënjësor, në mënyrë të veçantë për televizionet. Pavarësisht se ti me burime mund të jesh informuar për shumë detaje, të cilat nuk janë të përfshira në informacionin e dhënë nga zyra e shtypit, ti e ke te pamundur që t’i trajtosh sa kohë që nuk ka pamjet për ta faktuar siç mund të ndodhte në rast se grupi i xhirimit do të ishte në vendin ku zhvillohej aktiviteti.
M.H: Gazetarët janë të prirur të jenë të pranishëm, kudo ku kanë mundësi të adresojnë pyetje dhe të thellohen për të marrë informacion. Qeveria dhe ministritë e kanë kanalizuar publikimin e linqeve me aktivitetet e tyre online dhe mundësia e gazetarëve për të pyetur, është vetëm kur kryeministri apo ministrat njoftojnë konferencë për median. Nga Bashkia Tiranë nuk mbahet mend nëse ka pasur ndonjëherë konferencë me gazetarët nga kryetari Veliaj. Ndërsa nga Presidenca dhe partitë politike thirren gazetarët dhe sigurisht që shkojnë.
E.K: Në rastin kur punon mbi një material të servirur, je i kufizuar. Ti sheh atë që të kanë sjellë. Nuk sheh një panoramë të plotë, detaje që mund të bëjnë diferencën. Nuk ke kontakte me pjesëmarrësit në aktivitet, nuk shikon reagimin dhe mimikën e tyre. Pra, qartazi ëshë e kufizuar mundësia kur punohet mbi materialet që sjell zyra e shtypit. Këto zyra ofrojnë PR, lajmi i një gazetari mund të jetë tërësisht i ndryshëm nga i një tjetri, dhe mund të mos jetë në asnjë fjali nga ato që përcjell zyra e shtypit.
E.GJ: Padyshim që kur e trajton vetë, lajmi është shumë i ndryshëm. Ndërsa kur e sjell zyra e shtypit, të gjitha mediat transmetojnë të njëjtin lajm, të ndërtuar në të njëjtën mënyrë. Ndryshimi i vetëm është kohëzgjatja e kronikës. Thelbi është i njëjtë, pasi personazhet dhe teksti janë përgatitur nga zyra përkatëse e shtypit. Pamjet dhe sinkronet janë të njëjta.
J.D: Sigurisht që ka shumë ndryshim. Zyra e shtypit ka për qëllim t’i kanalizojë informacionet dhe filmimet që i dërgon medias, në shërbim të promocionit të institucionit dhe jo të informojë publikun në mënyrë të pavarur dhe profesionale.
A.M: Situata sot është më kritike. Sepse materialet që na serviren në rrjetet sociale nga zyrtarët apo dërgohen në forma të tjera nga zyrat e shtypit, nuk janë materiale bruto. Janë lajme të selektuara, të inskenuara, të montuara nga zyra e shtypit, e cila ka marrë rolin e një redaksie, me kryeredaktor e gazetarë. Në këtë kuptim, e vetmja gjë që na ngelet të bëjmë ne si gazetarë është një kontroll i fakteve, mes deklaratave e nismave që merr qeveria dhe ato që arrin të realizojë ose jo.
R.S: Po, ka shumë ndryshim. Sepse kur pamjet apo informacionet vijnë nga zyra e shtypit, gazetari është i detyruar të transmetojë ato informacione apo pamje që i vijnë. Në rastin kur ai është vetë në aktivitet, dhe ka kameran e tij, zgjedh gazetari se cilat imazhe do të përdorë, apo çfarë informacionesh i duhen për të ndërtuar kronikën.
L.P: Besoj se jemi në kohën kur është politika që monitoron median, dhe jo media politikën, siç duhet të jetë në realitet. Gazetarët lokalë janë nën presion. Nuk kanë munguar rastet kur një lajm që prodhon gazetari lokal bie ndesh me interesat e pushtetit që ka marrëdhënie me median, atëherë gazetarët kërcënohen me pushime nga puna.
A.Q: Kjo praktikë ka vrarë edhe besimin e qytetarëve tek media, duke parë se lajmet në përgjithësi janë pozitive dhe në të njëjtën linjë me publikimet zyrtare të bashkisë, atëherë qytetarët nuk i referohen më medias si një institucion apo pushtet i pavarur. GJ.GJ: Materialet që prodhohen dhe shpërndahen nga institucionet nuk janë profesionale. Publikohen në të gjitha mediat të njëjtat materiale.
O.C: Të gjithë mediat japin të njëjtin lajm. I njëti tekst, e njëjta figurë, të njëjtat intervista, apo prononcime. Unë them se në këto kushte, ne nuk quhemi më gazetarë, por videotransmetues.
REKOMANDIME
Mediat janë në kushtet kur nuk informohen mbi aktivitetet qeveritare, qëndrore e lolake.
Për të prodhuar lajmet mbi këto aktivitete, ata shfrytëzojnë:
1. Materiale që kanë kaluar më parë në studiot e montazhit në zyrat e shtypit të institucioneve publike, ku janë seleksionuar imazhet, janë shkëputur (prerë) deklaratat (sinkronet) e titullarit dhe i dërgohen medias.
2. Imazhet që shkojnë në redaksitë e televizioneve përmes sinjalit LIVE
Disa media kanë zgjedhur ta refuzojnë variantin e parë, duke preferuar së paku variantin e dytë, ku kanë mundësi më të mëdha për të prodhuar një lajm më profesional.
Të gjitha mediat kanë mundësi ta refuzojnë edhe variantin e parë, edhe variantin e dytë.
Ato mund të mos i pranojnë këto materiale, por të kërkojnë që gazetarët të jenë në vendin e ngjarjes ku zhvillohet aktiviteti. Por nuk e bëjnë këtë. Sepse tashmë është krijuar një bashkëjetesë “paqësore” mes medias dhe pushtetit, pasi zyrtarët e lartë ndjehen komodë me monologjet e tyre, që i quaJnë deklarata për shtyp.
Korrespondenti për Shkodrën i një televizioni qëndror, mori presione nga drejtuesit e tij pasi i kishte bërë një pyetje ministrit të ekonomisë gjatë një vizite atje, pyetje e cila nuk i kishte pëlqyer. Në lajme nuk kishte dalë materiali që kishte përgatitur ai, por materiali që kishte dërguar zyra e shtypit e ministrisë.
Ndërsa kryeministri i vendit, ndërpreu konferencën për shtyp, sepse një gazetare këmbënguli që të merrte përgjigje për pyetjen e saj.
Gazetarët ndjehen të revoltuar nga kjo situatë.
Ata kërkojnë:
1. T’i jepet fund kësaj praktike, duke kërkuar nga mediat ku punojnë, refuzimin e materialeve të gatshme mediatike.
2. Të hapen aktivitetet e partive dhe zyrtarëve të lartë të qeverisë qëndrore dhe lokale, për t’u ndjekur nga gazetarët.
3. Mediat të informohen paraprakisht, për agjendën e çdo aktiviteti që organizohet nga institucionet qeveritare, qëndrore e lokale si dhe partitë politike. Eshtë në vlerësimin e tyre t’i ndjekin apo jo.
Zgjodhëm në përmbyllje, thirrjen e një gazetari me përvojë në Kukës, Sulejman Dida:
“Duhet të reagojmë në bllok ndaj arrogancës së pushtetit dhe zyrtarëve, të cilët tani na shikojnë si nëpunës të tyre, që duhet t’u shërbejmë me mesazhe dhe lajme promocionale. Kemi tradhtuar njeriun e thjeshtë, duke u bërë vegla të pushtetit dhe kjo është humbja më e madhe që kemi pësuar”.
Nov 27, 2024 0
Nov 15, 2024 0
Nov 11, 2024 0
Jan 29, 2024 0
Nov 27, 2024 0
Nov 15, 2024 0
Nov 11, 2024 0
Jan 29, 2024 0
Oct 16, 2015 0
Mentor Kikia——- Mjafton ta lexosh me vëmendje letrën, që deputeti Spartak Braho, në cilësinë e kryetarit të komisonit parlamentar për sigurinë kombëtare, u ka dërguar krerëve më të lartë të...