Jul 15, 2015 FML Aktivitete, Kryesore 0
Hartuar nga: Forumi i Mendimit të Lirë
Me mbështetjen e OSFA, Shoqëria e Hapur për Shqipërinë
dhe asistencën e institucionit të Avokatit të Popullit
Shkodër, 2013
Relacion mbi studimin: Identifikimi i familjeve dhe personave të ngujuar në rrethin e Shkodrës
Përmbledhje
Ky studim është realizuar nga organizata Forumi i Mendimit të Lirë, me mbështetjen e OSFA, zyrës së Fondacionit Soros në Shqipëri, në bashkëpunim me Avokatin e Popullit dhe pushtetin vendor në rrethin e Shkodrës.
Ai përmban informacione mbi numrin e personave që janë aktualisht të ngujuar si pasojë e kanosjes për gjakmarrje, moshën e tyre, kohën e qëndrimit në ngujim, gjendjen ekonomike dhe të dhëna mbi konfliktin dhe familjen me të cilën ata janë në konflikt.
Edhe pse të dhëna të pjesshme në aspektin gjeografik, këto janë një dëshmi e brutalitetit me të cilin ky fenomen mesjetar vazhdon të bashkëjetojë dhe ushtrojë ndikimin e tij në jetën e shqiptarëve, kryesisht në zonat e Veriut të vendit, por tashmë i shpërndarë në gjithë vendin si pasojë e lëvizjes demografike.
Nga verifikimet që u bënë në qytetin dhe komunat e Shkodrës dhe Malësisë së Madhe, rezulton se nga fenomeni i ngujimit janë të prekura 76 familje, me 230 persona nga të cilët 54 janë nën moshën 18 vjec. Janë të ngujuara gjithashtu edhe 19 familje por që nuk janë përfshirë në këtë databazë, pasi nuk kanë pranuar të japin të dhënat e tyre për shkak të sigurisë së tyre. Gjithashtu, identifikohen edhe 33 familje si të ngujuara, mbi bazën e informacioneve të mëparshme që organizata ka patur, por edhe nga dëshmitë e pushtetit vendor apo burime të tjera të siguruara nga investigimet në terren. Por këto janë zhvendosur nga vendbanimet, duke u larguar jashtë Shqipërisë ose drejt zonave urbane. Sipas informacioneve që ne disponojmë, në përgjithësi ka një tendencë të zhvendosjes së problemit drejt zonave të Tiranës dhe Durrësit, ku mundësia e strehimit për të humbur kontaktet me familjet në hasmëri është më e madhe.
Gjithashtu janë 88 familje në hasmëri, që nuk janë të ngujuara, por kanë konflikte të hapura.
Mes të ngujuarve ka edhe fëmijë të mitur, nga mosha 4 deri në 6 vjec si dhe vajza e gra. Të gjithë të miturit në moshën e arsimit të detyruar shkollor, nuk i frekuentojnë shkollat, si pasojë e kërcënimit, dhe kanë marrë apo vazhdojnë të marrin, mësime të pjesshme nga mësues në shtëpi, përmes një programi të drejtorisë arsimore të rrethit Shkodër. Por, këto mësime janë të pamjaftueshme për ti konsideruar si të arsimuar ata. Ndërkohë që disa janë në kategorinë e analfabetit, pasi pozicioni gjeografik i venbanimit të tyre, në zona të thella malore e të izoluara gjatë dimrit nga kushtet atmosferike, e bën të pamundur zhvillimin e orëve të mësimit në shtëpi, pasi mësuesit nuk kanë me se të udhëtojnë.
Karakteristika të fenomenit
Po tu referohemi të dhënave të siguruara nga ky studim dhe ti krahasojmë me të dhëna të mëparshme që organizata disponon, konstatojmë se ka një reduktim të numrit të familjeve dhe personave të ngujuar. Por realisht besojmë se kjo nuk tregon një trend në zbritje të dukurisë dhe zbehje të fenomentin kriminal. Sipas informacioneve konfidenciale që ne siguruam, gjatë dy viteve të fundit kemi një zhvendosje të familjeve dhe personave të prekur në drejtim zonave urbane, si në Tiranë dhe Durrës etj, ku ato shtrehohen në banesa pa adresë, me qëllim humbjen e gjurmëve nga gjaksi. Ndërsa, disa familje janë larguar nga Shqipëria, pas liberalizimit të vizave, duke mundur të përfitojnë azil në vende të Bashkimit Europian, ku kanë paraqitur dëshmi që janë të prekur nga ngujimi. Në vendbanimet e tyre kanë mbetur familje që kanë nga 9-22 vjet të ngujuar. Në këto familje ka të rinj që kanë lindur dhe janë rritur në kushtet e ngujimit. Këto familje janë tashmë të zhytura në kushtet e mjerimit, pasi të gjitha mbijetojnë vetëm me ndihmën ekonomike që marrin nga pushteti vendor, ose nga të ardhurat që sigurojnë nga toka bujqësore, vetëm nga puna e grave, pasi burrat nuk dalin nga shtëpia. Kjo kategori familjesh e ka patur dhe e ka të pamundur edhe të zhvendoset, pasi në kushtet ekstreme të varfërisë nuk mund të blejnë apo paguajnë qera për banesa në vendbanime të tjera dhe as mund të udhëtojnë jashtë vendit, për të kërkuar azil. Konstatojmë gjithashtu se ka familje të reja që janë përfshirë në ngujim gjatë 2 – 3 viteve të fundit, gjhë që tregon vijimësinë e fenomenit.
Fenomeni i marrjes së gjakut ka devijuar edhe nga tradita zakonore, duke çuar në vrasjen edhe të femrave, gjë e cila nuk parashikohet në kodin zakonor që motivon këtë formë mesjetare të të bërit drejtësi. Gjithashtu kemi konstatuar familje që kanë të ngujuar edhe vajza edhe gra, gjë e cila nuk ka qenë, gjithashtu, karakteristikë e traditës kanunore.
Konstatojmë se në pjesën më të madhe, familjet dhe personat që vuajnë ngujimin nuk kanë lidhje me krimin. Shumica e familjeve vuajnë për një krim që ka bërë një i afërm i tyre. Vetëm në tre raste, autorët e krimeve, për të cilat vuan ngujimin familja ose i gjithë fisi, janë larguar nga vendi, ose ende nuk janë arrestuar për tiu nënshtruar gjykimit. Ndërsa në rastet e tjera, ata ose janë duke vuajtur dënimin, janë në proces gjykimi, ose e kanë shlyer dënimin sipas ligjit. Megjithatë, në të tria alternativat, familjet dhe të afërmit e autorëve vazhdojnë të jenë të ngujuar.
Të gjitha familjet kanë qenë ose janë në proces negociimi, ndërmjetësimi, permes misionarevë të pajtimit që bëjnë ndërmjetësin për të nxjerrë nga ngujimi familjet dhe personat e pafajshëm.
Personat e familjeve të ngujuara jetojnë në kushtet e traumës psikologjike, pasi jetojnë me makthin e vdekjes dhe kushtet e plota të izolimit të shtëpisë.
Cënimi i lirive dhe të drejtave themelore
Vetëizolimi i këtyre personave si pasojë e kërcënimit, është një shkelje brutale e të drejtave të njeriut. Atyre u mohohet të gjitha liritë dhe të drejtat themelore, parashikuar në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë si dhe konventat europiane apo të OKB-së për të drejtët e njeriut, dhe fëmijëve në veçanti.
1- E drejta e jetës
E drejta e jetës është e drejta thelbësore dhe njëkohësisht kushti kryesor për përpmbushjen dhe respektimin e të drejtave të tjera të njeriut. Jo pa arsye, legjislatori e ka rradhitur të parën ndër të drejtat themelore. Garantimi i të drejtës së jetës është gjithmonë dhe për cilindo thelbësore por në rastin kur bëhet fjalë për garantimin e kësaj të drejtë një fëmije, atëherë rritet rëndësia e garantimit të saj. Përfshirja e fëmijëve në një prej kategorive sociale me nevojë për përkujdesje të veçantë, i atribuohet shumë elementëve socialë, fiziko-psikikë etj. Më e rëndësishme akoma bëhet mbrojtja dhe garantimi i mbrojtjes së të drejtës së jetës për fëmijët e ngujuar.
Realiteti i shifrave zyrtare dhe ai i jetuar ndryshojnë shumë. Kështu sipas vjetarit statistikor të Ministrisë së Drejtësisë, nga viti 2004 deri në 2011 janë dënuar gjithsej për veprën penale të parashikuar nga neni78/2 “Vrasje me paramendim për gjakmarrje” 99 raste, ndërkohë që të dënuar në bazë të nenit 83/a të Kodit Penal për veprën “Kanosje serioze për hakmarrje dhe gjakmarrje”, vepër e cila prodhon edhe ngujimin, kanë qënë gjithsej 11 raste. Për veprën penale të parashikuar nga neni 83/b nuk është dënuar asnjë person sipas statistikave të Ministirsë së Drejtësisë.
2- E drejta e arsimimit
Kushtetuta në nenin 57 parashikon “Kushdo ka të drejtën për arsimim”. Kjo e drejtë shoqërohet nga detyrimi për të garantuar arsimimim që ka shteti dhe prindërit apo kujdestarët e fëmijës. Arsmi shkollor i detyrueshëm caktohet me ligj të posaçëm. Parimi i sistemit arsimor shqiptar është në përgjithësi respektimi i të gjitha të drejtave dhe lirive themelore të njeriut dhe në veçanti mbrojtja nga dhuna, diskriminimi mbi çfarëdolloj baze sociale.
Një parashikim mjaft i rëndësishëm, që legjislatori shqiptar ka bërë, duke i ardhur në ndihmë edhe fëmijëve të ngujuar nga gjakmarrja, është ai i bërë në nenin 17 të ligjit nr. 69/2012 “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, ku parashikohet arsimi në kushtet e shtëpisë i cili, ofrohet në raste të veçanta, për të gjitha klasat e arsimit bazë ose vetëm për disa prej tyre. Legjislatori ia ka deleguar Ministrit të arsimit të drejtën për të përcaktuar rastet e veçanta, kriteret dhe procedurat për arsimimin në kushtet e shtëpisë.
3- Liria e lëvizjes
Kushtetuta parashikon në Nenin 38 se, kushdo ka të drejtë të zgjedhë vendbanimin si dhe të lëvizë lirisht në çdo pjesë të territorit të shtetit. Askush nuk mund të pengohet të dalë lirisht jashtë shtetit. Ligji nr.10347, datë 04.11.2010 “Për mbrojtjen e të drejtave të fëmijës”, e ka konceptuar të drejtën për lirinë e lëvizjes në fomë negative duke sanksionuar se fëmijës nuk i mohohet liria në mënyrë të paligjshme dhe arbitrare. Fëmijës, që i është hequr apo kufizuar liria, i sigurohet ndihmë juridike e psikologjike në çdo gjendje dhe shkallë të procedimit penal, në përputhje me interesat e tij.
4- E drejta e punës dhe e drejta kundër punës së detyruar
E drejta e parashikuar në Nenin 26 të Kushtetutës se askujt nuk mund t’i kërkohet të kryejë një punë të detyruar, përveçse në rastet e ekzekutimit të një vendimi gjyqësor, të kryerjes së shërbimit ushtarak, të një shërbimi që rrjedh nga një gjendje lufte, nga një gjendje e jashtëzakonshme ose nga një fatkeqësi natyrore, që kërcënon jetën ose shëndetin e njerëzve është një nga të drejtat themelore të njeriut.
Ndërkohë, Konventa “Për mbrojtjen e të fëmijëve” të Kombeve të Bashkuara, ka vënë disa detyrime baze, minimale për shtetet palë, që të përcaktojnë një minimum rregullash për kushtet e punës së të miturve, për moshën minimale, për orarin e punës, po ashtu edhe të vendosjes së gjobave dhe sanksioneve personave që shkelin këtë të drejtë ose këto garanci minimale. Po ashtu konventa parashikon se Shtetet Palë njohin të drejtën e fëmijës për t’u mbrojtur nga shfrytëzimi ekonomik dhe nga kryerja e çdo pune që paraqet rreziqe ose që cënon edukimin e tij ose dëmton shëndetin apo zhvillimin e tij fizik, mendor, shpirtëror, moral ose shoqëror.
Gratë e ngujuara janë një tjetër kategori i presekutuar në këtë aspekt, duke qënë se shpesh i bie atyre barra e mbajtjes së familjes, duke bërë të vetmen punë që mund të bëjnë në kushtet ku jetojnë, të punojnë tokën. Për të garantuar mbijetesën e familjes së tyre, shpesh ato punojnë në kushte gati skllavërie, pasi është i vetmi krahë pune që ka edhe lirinë e lëvizjes.
5- Liria dhe të drejtat politike
Këto janë liri të parashikuara nga kushtetuta nga Neni 45 deri në Nenin 48 dhe që lidhen me:
Të gjitha këto të drejta dhe liri themelore, janë të drejta pozitive dhe për të cilat shteti detyrohet të garantojë respektimin e tyre dhe i garantohet çdo individi që përmbush kushtet dhe kriteret të përcaktuara në Kushtetutë edhe në ligje të posaçme. Por, ajo që në fakt ndodh është që këto të drejta dhe liri janë të lidhura ngushtë më lirinë e lëvizjes dhe përsa kohë një individi, qoftë edhe fëmijë, përsa kohë nuk i garantohet liria e lëvizjes, nuk garantohen dhe nuk zbatohen dot në praktikë as këto liri dhe të drejta.
6- Liria e ndërgjegjes dhe e fesë
Neni 24 i Kushtetutës parashikon që liria e ndërgjegjes dhe e fesë është e garantuar. Këtë liri mund ta analizojmë në disa dimensione: Në dimensionin e lirisë për të besuar në një fe të caktuar, duke e parë fenë si marrëdhënia që vendoset mes një personi dhe një apo më shumë hyjnish ose fuqish mbinatyrore, apo të një grupi njerëzish që ushtrojnë të njëjtin kult, e cila nuk kërkon ndërhyrjen e shteti për tu realizuar. Në dimensionin e lirisë së ndërgjegjes dhe e fesë, sikurse trajtohet në paragrafin 2 të nenit 24 të Kushtetutës:
“Secili është i lirë të zgjedhë ose të ndryshojë fenë ose bindjet, si dhe t’i shfaqë ato individualisht ose kolektivisht, në publik ose në jetën private, nëpërmjet kultit, arsimimit, praktikave ose kryerjes së riteve”.
Konventa “Mbi mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve”, e sipërcituar, ka parashikuar në Nenin 14 se, respektohet e drejta e fëmijës për lirinë e mendimit, të ndërgjegjes dhe të fesë. Në këtë dispozitë, duke e ratifikuar këtë Konventë sipas parashikimeve të nenit 122 të Kushtetutës, legjislatori shqiptar ka marrë përsipër garantimin e kësaj të drejte dhe në funksion të kësaj garancie ka vënë si kusht kufizimin e kësaj të drejte vetëm nëpërmjet ligjit dhe kur justifikohet me mbrojtjen e sigurisë publike, rendit publik, shëndetit dhe moralit publik, ose liritë dhe të drejtat themelore të të tjerëve. Kjo liri është parashikuar edhe në ligjin e posaçëm të sipërcituar 10347/2010 “Për mbrojtjen e të drejtave të fëmijës”, duke i vënë edhe një detyrë Prindit/përfaqësuesit ligjor të fëmijës të drejtojë atë në ushtrimin e lirisë së mendimit, ndërgjegjes dhe fesë, në përputhje me zhvillimin e aftësitë e tij.
7- Liria e shprehjes
Në nenin 22 të Kushtetutës sanskionohet e drejta e shprehjes, duke parashikuar që, liria e shprehjes është e garantuar. Liria e shtypit, e radios dhe e televizionit është e garantuar. Censura paraprake e mjeteve të komunikimit ndalohet. Sipas nenit 10 të KEDrNj, liria e shprehjes përfshin në vetvete edhe të drejtën e informimit, si një e drejtë themelore për të marrë dhe për të dhënë informacion, pa ndërhyrjen e autoriteteve publike.
E drejta e shprehjes është parashikuar edhe në nenin 13 të Koventës së OKB “Mbi të drejtat e Fëmijës”, si një e drejtë që përfshin:
Ushtrimi i kësaj të drejte mund t’i nënshtrohet disa kufizimeve, por vetëm kur përcaktohen me ligj dhe janë të domosdoshme për:
(a) Respektimin e të drejtave ose reputacionit të të tjerëve; ose
(b) Mbrojtjen e sigurimit kombëtar, të rendit publik, të shëndetit ose të moralit publik.
8- E drejta e informimit
E drejta e informimit garantohet nga Kushtetuta në nenin 23 të saj ku ligjvënësi sanksionon se, kushdo ka të drejtë, në përputhje me ligjin, të marrë informacion për veprimtarinë e organeve shtetërore, si dhe të personave që ushtrojnë funksione shtetërore.
Kështu me anë të ligjit nr.10347, datë 04.11.2010 “Për mbrojtjen e të drejtave të fëmijës”, në nenin 15 është parashikuar e drejta e informimit si një nga të drejtat themelore të fëmijës duke parashikuar që fëmija ka të drejtë të kërkojë ose të marrë edhe pa e kërkuar atë dhe kjo i referohet pamundësisë së të kuptuarit për rëndësinë që mund të ketë një informacion i caktuar, në lidhje me mirëqënien, edukimin dhe zhvillimin e tij fizik dhe psikologjik. Po ashtu, fëmija ka të drejtë të ketë akses në të gjithë regjistrat ku mbahen të dhëna për të. Një fëmije të ngujuar i mungon informacioni në lidhje me mirëqënien e tij, edukimin apo zhvillimin fizik dhe psikologjik por edhe nëse e përfiton këtë informacion me burimet informative tek të cilat ka akses, ai nuk mund t’i përdorë këto informacione për arritjen e qëllimit që ato kanë.
Metodologjia e studimit
Për mbledhjen e këtij informacioni u shfrytëzuan të dhëna dhe burime nga:
-Studimet e mëparshme të organizatës mbi këtë fushë
-Policia e shtetit
-Pushteti vendor
-Drejtoria rajonale e arsimit, Shkodër
-Informacione të siguara nga vëzhgimet dhe identifikimet e drejtëpërdrejta në terren
Me të gjitha familjet e përfshira në këtë studim është marrë kontakt i drejtëpërdrejtë, në shtëpitë ku ata banojnë, duke garantuar ruajtjen e konfidencialitetit të të dhënëave të vendbanimit, apo informacione të tjera që mund të cënojnë sigurinë e jetës apo pronës së tyre. Në këtë databazë janë përfshirë vetëm emrat e personave, për të cilët vetë familjet pranojnë se janë në kushtet e ngujimit, izolimit në kushtet e shtëpisë, deri në momentin e realizimit të këtij studimi. Në të janë përfshirë informacionet që kanë dhënë vetë familjet, dhe konkretisht kryefamiljarët, e ngujuar.
Në këtë databazë nuk janë përfshirë familje dhe persona të ngujuar, të cilët kanë refuzuar të jenë pjesë e saj, për shkak se nuk kanë preferuar të bëjnë publike asgjë nga historia e tyre e konfliktit, përfshi edhe faktin se ato janë të prekur nga ngujimi. Për këto familje organizata zervon të drejtën për të mos dhënë asnjë lloj informacioni, lidhur me numrin e personave, moshën apo vendbanimet, edhe pse e dispononon këtë informacion, qoftë të oplotë në disa , qoftë në mënyrë të pjesshme.
Qëllimi i studimit
Qëllimi i këtij studimi është të mbledhë të dhëna mbi numrin e familjeve dhe personave të ngujuar në qarkun e Shkodrës.
Informacioni përfshin:
-Numrin e familjeve
-Numrin e personave
-Personat e mitur, që janë në nivelin e arsimit të detyrueshëm shkollor
-Nivelin e tyre arsimor
-Të dhëna mbi gjendjen ekonomike të familjeve të ngujuara
-Historikun dhe të dhëna mbi konfliktin që ka shkaktuar ngujimin
Ky studim i adresohet institucionit të Avokatit të Popullit, i cili mbi bazën e informacioneve, do të rekomandojë pranë organeve të drejtësisë, nisjen e procedurave hetimore për rastet e familjeve dhe personave të ngujuar, lidhur me shkeljen e të drejtave të njeriut dhe neneve të Kodit Penal, që lidhen me kanosjen dhe detyrimin për ngujim.
Qëllimi i mbledhjes së këtij informacioni është hartimi i politikave sociale nga institucionet qëndrore dhe lokale të pushtetit, për tu ardhur në ndihmë personave të izoluar në kushtet e shtëpisë.
Qëllimi i këtij studimi është ofrimi i të dhënave për autoritetet e arsimit, për të përmirësuar politikat arsimore për personat e ngujuar që janë në moshën e arsimit të detyrueshëm.
Konkluzione
Në të dhënat e këtij studimi, i cili është kufizuar vetëm për rrethin e Shkodrës dhe fshatrat e Malësisë së Madhe,tregojnë se fenomeni i gjakmrrjes dhe ngujimi si pasojë e tij, është ende i përhapur.
Fenomeni nuk mund të konsiderohet tashme thjeshtë si verior, pasi ai është përhapur edhe në zona të tjetra të vendit, për shkak të lëvizjes së popullsisë nga Veriu drejt zonave të tjera, duke bartur me vete si mentalitetin e gjakmarrjes ashtu edhe konfliktet e hapura.
Institucionet arsimore, në bazë të ligjit 69/2012 “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, kanë bërë të mundur dhënien mësim në kushtet e shtëpisë për disa të mitur, por duhet theksuar që kjo bëhet aty ku është e mundur mbërritja apo destinacioni me mjetete transporti, pasi shumë prej familjeve janë në zona të thella dhe është e vështirë që arsimtarët të shkojnë atje.
Legjislatori ka qënë i qartë në luftën kundër këtij fenomeni, duke parashikuar mjaft qartë në Kushtetutë të drejtat dhe liritë themelore të individit. Po ashtu, ka parashikuar edhe vepra penale të posaçme për gjakmarrjen, neni 78/2 dhe nëni 83-a dhe 83-b, në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë.
Një nga funksionet e të drejtës penale është parandalimi dhe pikërisht kjo është ajo që duhet të bejnë insitucionet kompetente sipas ligjit në këtë rast. Të parandalojnë një situatë kriminale kur disponojnë informcionin e nevojshëm për këtë.
Ajo që vihet re është që qindra të rritur dhe fëmijë të ngujuar, e madje edhe të lindur të ngujuar, nuk shijojnë në asnjë ditë të jetës së tyre të drejtat e parashikuara në kushtetutë.
Edhe pse në kushtet e një arresti shtëpiak pa vendim gjykate, edhe pse të kërcënuar me jetën dhe në kushtet e mohimit të të gjitha lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, këto raste dhe të tjerët, nuk janë bërë objekt i ndonjë hetimi penal nga organet e drejtësisë, përjashtuar ndonjë rast të vecantë. Vetë familjet nuk kanë denoncuar, pasi në kushtet e mjerimit ekonomik dhe injorancës që tashmë ka pllakosur një gjeneratë, nuk e kanë kulturën juridike, nuk kanë mundësi të paguajnë avokatë, dhe mbi të gjitha, ata i janë nënshtruar vetëizolimit si një mënyrë për të paguar një krim, për të cilin nuk janë as autorë, as bashkëpunëtorë. Por thjeshtë kanë lidhje familjare ose lidhje gjaku me autorin e krimit, i cili në shumicën e rasteve i janë nënshtruar ndëshkimit sipas ligjeve penale në fuqi.
Rekomandime
Fenomeni i gjakmarrjes sikurse del edhe nga hulumtimet ne terren mbetet nje fenomen i rende qe megjithe disa masave te ndermara nga organet shteterore dhe organizatat jo qeveritare vazhdon te sjelle pasoja te renda jo vetem per familjet e perfshira por per te tere shoqerine shqiptare. Nder vite gjakmarrja po gjen terren ne kushtet e nje apatie per te rreguar me force kunder saj si fenomen dhe mentalitet qe vjen e forcohet duke tejkaluar zonat e njohura dhe duke u zgjeruar edhe ne territore qe nuk kane qene problematike ne kete drejtim. Jo paqellim ne progres raportet të Bashkimit Europian për Shqipërinë theksohet se vazhdojnë rastet e ngujimit të fëmijëve në shtëpi nga frika e gjakmarrjes dhe kerkohet marrja e masave per te perballur kete situate:
Duke vleresuar veprimtarine e deritanishme te Avokatit te Popullit, ne do ti propozonim qe te ushtronte kompetencat e tij ligjiore ne vazhdim duke marre shkas edhe nga ky studim i pjesshem e te parashtronte rekomandime te tij per te gjitha strukturat qevrisese e me gjere edhe ne keto drejtime:
Lista e familjeve dhe personave eshte konfidenciale dhe disponohet nga organizata
Nov 15, 2024 0
Nov 11, 2024 0
Jan 29, 2024 0
Jan 08, 2024 0
Nov 15, 2024 0
Nov 11, 2024 0
Jan 29, 2024 0
Jan 08, 2024 0
Oct 16, 2015 0
Mentor Kikia——- Mjafton ta lexosh me vëmendje letrën, që deputeti Spartak Braho, në cilësinë e kryetarit të komisonit parlamentar për sigurinë kombëtare, u ka dërguar krerëve më të lartë të...