Jul 15, 2015 FML Aktivitete, Kryesore 0
Forumi i Mendimit të Lirë organizoi tubime proteste në Tiranë dhe Shkodër kundër vrasjes së 14 vjecares Marie Cuku. Fjala e drejtuesit të Forumit të Mendimit të Lirë në tubimin e Tiranës, ku mori pjesë edhe ambasadori i SHBA Aleksandër Arvizu
Krimi i përbindshëm mesjetar e sfidoi sërish shtetin, duke i prerë jetën në mes një fëmije, një vajze mbi të gjitha. Marie Cuku, nuk ishte duke pushuar si shumë shoqe të saj, që sapo kanë mbaruar shkollën. Ajo ishte duke punuar tokën, bashkë me gjyshin e saj. Por edhe këtu nuk e lanë. Ajo u vra dhe sot nuk është më mes të gjallëve. Policia nuk e pati të vështirë të gjejë shkaqet e vrasjes së një njeriu që nuk i kishte bërë askujt keq në jetën e saj fare të shkurtër. Ishte gjaksi!
Mesjeta na tregoi se nuk është larguar ende nga mesi jonë, tregoi se është ende këtu dhe e fortë, duke mbjellë viktima krejtësisht të pafajshme. Mesjeta tregoi se është kaq e përbindshme sa nuk pyet as për ligjet dhe rregullat e saj të cilat e ndalonin vrasjen e një fëmije, e aq më tepër të një vazje. Por mbi të gjitha, mesjeta tregoi se është me e fortë se shteti, është më e fortë se ne të gjithë. Vrasja e Maries dhe gjyshit të saj nuk duhet të trondisë vetëm familjen Cuku në Dukagjin, por duhet të trondisë çdo familje shqiptari. Por, së pari ajo duhet të trondisë shtetin, qeverinë, drejtësinë, parlamentin….
Ajo duhet të trondisë dhe të shkundë fort indiferencën e tërë neve, shoqërisë civile dhe medias.
Shqipëria është sot në përpjekjet e saj finale për të marrë statusin e vendit kandidat për në BE. Asaj i duhet të plotësojë 12 kushte që i ka vënë Bruskeli. Diplomacisë ndërkombëtare i ra bretku duke rendur nga njëra seli partie tek tjetra, për të kërkuar konsensus e paqe, në mënyrë që të realizohen kriteret dhe Shqipëria ta marrë statusin. Shqipëria do të jetë vend kandidat për në BE. Po ç’dreq kandidati do të jetë ky vend, kur ende vriten njerëz krejt pa faj, kur ende vriten njerëz për të paguar një krim që as e kanë bërë dhe as që kanë lidhje? Ç’dreq kandidati do të jetë ky vend kur ende ka njerëz që qëndrojnë në arrest shtëpie pa vendim gjykate(të ngujuar), sepse kërcënohen me vrasje nga gjaksi? C’dreq kandidati do të jetë Shqipëria, kur një ligj mesjetar është më i fortë se Kodi Penal?
Forumi i Mendimit të Lirë, si organizatë që ka studiuar dhe dokumentuar familjat e ngujuara, shpreh indinjatën më të thellë për këtë krim të tmerrshëm dhe, pa asnjë ngurrim, ngre dorën dhe tregon me gisht si vrasës, jo gjaksin që fshihet pas ferrave si burracak, por shtetin që vazhdon të heshtë përballë kësaj maskarade. Forumi i Mendimit të Lirë tregon me gisht si vrasës drejtësinë, e cila ende dhe sot nuk ka hapur as edhe një proces hetimor ndaj atyre që i detyrojnë të tjerët të ngujohen, edhe pse kjo përbën vepër penale dhe ndëshkohet si krim.
Ne çmojmë dhe vlerësojmë angazhimin e shtetit, institucioneve dhe zyrtarëve të lartë ditën kur nga një aksident fatal humbën jetën 10 vajza, thuajse bashkëmoshatare të Maries. Por sot askush nuk shkoi ta përcillte Marien, e cila nuk iku nga kjo botë as nga një aksidet, as nga ndonjë sëmundje. Ajo u vra në mes të arës duke punuar për bukën e gojës për të paguar krimin e gjakmarrjes.
Forumi i Mendimti të Lirë u bën thirrje të gjitha organizatave për të drejtat e njeriut, Avokatit të Popullit, shoqërisë në tërësi, medias dhe çdo njeriu të përgjegjshëm që të ngrejnë zërin kundër këtij këtij fenomeni, që të ngrejnë zërin për të nxjerrë nga burgu ata qindra burra e fëmijë që qëndrojnë të ngujuar prej vitesh.
Ne duhet të ngrejmë zërin fort për ata burra që nuk shkojnë dot në punë, sepse duhet të qëndrojnë të ngujuar nën kërcënimin e gjaksit.
Ne duhet të ngrejmë zërin për ata fëmijë që nuk shkojnë dot në shkollë sepse duhet të qëndrojnë të ngujuar.
Ne duhet të ngrejmë zërin kundër heshtjes së shtetit, i cili ka vendosur të mbyllë, sy, veshë dhe gojë, për të treguar se gjakmarrja nuk ekziston, për të treguar se në jemi një vend modern dhe europian.
Maria sot nuk është thjeshtë një vajzë nuk jeton, ajo është simboli i shëmtisë sonë të përbashkët, është simboli i shtetit që nuk ekziston, është simboli i shoqërisë që struket në heshtjen dhe rehatinë e saj. Vajtimi i prindërve të Maries është sot një klithmë që nuk duhet lënë të shuhet, por duhet shndërruar në himn për kërkimin e drejtësisë. Ajo është një motiv që duhet të na bëjë të gjithëve të përgjegjshëm, për të dalë në rrugë e për të protestuar, jo më në emër të politikës, por në emër të jetës.
Nov 15, 2024 0
Nov 11, 2024 0
Jan 29, 2024 0
Jan 08, 2024 0
Nov 15, 2024 0
Nov 11, 2024 0
Jan 29, 2024 0
Jan 08, 2024 0
Oct 16, 2015 0
Mentor Kikia——- Mjafton ta lexosh me vëmendje letrën, që deputeti Spartak Braho, në cilësinë e kryetarit të komisonit parlamentar për sigurinë kombëtare, u ka dërguar krerëve më të lartë të...