Nga – Mentor Kikia
Çështja e azilantëve në BE, vecanërisht në Gjermani, po merr përmasat e një lufte. Vetëm se armiku nuk është një ushtri të armatosurish që mësyjnë, por karvanë njerëzish të dëshpëruar që ikin nga sytë këmbët për ti shpëtuar luftës që vazhdon të mbajë të mbërthyer një pjesë të vendeve të Lindjes së Mesme. Plazhet e shumë ishujve në Greqi janë shndërruar në vendfushime të klandesitnëve që flenë në rërë dhe ushqehen sa për mbijetesë. Nuk është shumë më e mirë gjendja e atyre që kanë mbërritur deri në Gjermani, e strehohen nëpër kapanone e çadra.
Refugjatët e luftës janë një problem i përhershëm për shtetet e pasura apo OKB-në, pasi njerëzit shpërngulen masivisht për ti shpëtuar vdekjes apo jetesës së vështirë, duke prodhuar katastrofa humanitare. Por Perëndimit dhe vecanërisht Gjermanisë nuk i janë sulur vetëm njerëzit që arratisen nga lufta. Mes atyre që kanë populluar kapanonet e azilantëve në Gjermani janë në masë shtetasit nga vendet e Ballkanit, të cilët sic theksonte analistja e “Dojce Vele”-s Verica Spasovka, nuk janë as në luftë, as nën torturën e diktaturës. Mes tyre janë të paktën 30 mijë shtetas shqiptarë që kanë marrë arratinë vetëm gjatë këtij viti dhe që tashmë presin avionin e kthimit. Shifrat e bëra publike nga Ministria e Brendëshme Gjermane tregojnë se Shqipëria është në vend të dytë, pas Sirisë. Këto shifra kanë ardhur duke u rritur nga muaji në muaj dhe vetëm për korrikun janë 7633 kërkesa për azil, kundrejt 9413 nga Siria, duke lënë pas Irakun, Afganistanin e Eritrean. Padyshim që shqiptarët do të kthehen, pasi autoritetet gjermane e kanë bërë të qartë se ata nuk kanë asnjë arsye për të marrë statusin e azilantit. Por kjo nuk mjafton që politika shqiptare ta bëjë gjumin të qetë. Kryeministri Rama, në një interviste për gazetën italiane “L’Unita”, duke komentuar situatën e emigrimit në BE, flet si një lider europian, madje kritik i Europës që nuk po di të menaxhojë valën e eksodit dhe jo si udhëheqës i një vendi që prodhon klandestinë më shumë se shumica e vendeve që janë në luftë.
Duhet të jemi të sinqertë me veten. Ne shqiptarët do të kemi gjithmonë arsye ekonomike të ikim nga vendi ynë, pasi sado të zhvillohemi, ne do të mbetemi sërish më të varfërit e Europës. Por a është posacërisht varfëria ajo që i bën njerëzit të marrin rrugët njësoj si para 25 vjetësh? A është varfëria një arsye e barabartë me terrorin e ISIS-it në zonat e pushtuara në Siri e Irak? Unë mendoj që jo. Sado të varfër, shqiptarët nuk janë në kushtet e urisë që të përleshën për një copë bukë në kampet gjermane, apo të preferojnë më mirë të vrasin veten sesa të rikthehen në vendin e tyre. Sado të varfër, ata nuk kanë askënd nga pas që i kërcënon me vrasje apo me djegien e shtëpisë. Sado të varfër, sot shumica e shqiptarëve jetojnë shumë më mirë se, të paktën, 10 vjet më parë. Por përse detyrohen ata të ndërmarrin të tilla sakrifica atëherë? Në mesin e azilkëkruesve shumica janë cifte të reja me fëmijë të vegjël ose të rinj, djem e vajza, kryesisht nga zonat rurale. Janë njerëz të zhgënjyer nga gjithëcka dhe pa asnjë shpresë për të ardhmen tashmë jo vetëm të tyren, por mbi të gjitha të fëmijëve të tyre. Azilkërkuesit e sotëm nuk janë prindërit e tyre që në vitet ‘90 morën rrugët për të siguruar bukë dhe rroba për fëmijët. Ata sot kërkojnë një jetesë më të mirë dhe janë të bindur se ajo nuk do të jetë kurrë në vendin e tyre. Një cift i sapodeportuar ishte intervistuar brenda një shtëpie, që mund të konsiderohet normale në cdo vend. Por ata donin të iknin që ti integronin fëmijët në një tjetër vend që tani, sepse ata nuk shikojnë tjetër përspektivë për ta vec profesionit të emigrantit, i cili është sot kontribuesi më i madh i ndryshimit të jetesës së shqiptarëve.
Shqipëtarët, pas cerek shekulli nga rrëzimi i komunizmit, nuk mund dhe nuk duan të kënaqen më vetëm se kanë një shtëpi më komode dhe televizor brenda, apo se kanë mundësi të vishen e të hanë më mirë. Duhet të kuptojmë se ka edhe një ndryshim të madh mes prindërve që emigruan 25 vjet më parë dhe bijve që duan të emigrojnë sot. Prindërit ikën për tu kthyer me ca para për të ndërtyuar shtëpinë, për të siguruar ushqim dhe veshmbathje për fëmijët. Ndërsa fëmijët duan të ikin për të mos u kthyer më, për ti lagruar njëherë e përgjithmonë fëmijët e tyre nga vendi i tyre. Dhe kjo nuk lidhet vetëm rritjen e “standardit” të kërkesave, por me mungesën e shpresës për të ardhmen në këtë vend. Duhet kujtuar se nga Shqipëria nuk ikin vetëm ata që kërkojnë thjeshtë një vend pune apo një pagë më të mirë, por ka edhe nga ata që kanë gjithëcka, por nuk shikojnë dot të ardhmen e fëmijëve këtu. Nuk ka sot vetëm nga ata që mbushin kapanonet në Gjermani, por edhe nga ata që paguajnë para për ti shkolluar fëmijët në Gjermani me pikësynimin e qartë që të mos kthehen më në Shqipëri.
Nuk ka nevojë për shumë arsyetim të kuptosh se ata që mendojnë kështu kanë të drejtë. Dhe sërish kjo nuk lidhet vetëm me nivelin ekonomik dhe shkallën e lartë të papunësisë tek një brez që jo vetëm nuk ka punë, por as nuk di se cfarë pune mund të bëjë. Përpos kësaj, sot ne kemi një demokraci më pak funksionale sesa në fillimet e saj. Kemi një politikë më të korruptuar dhe më të inkriminuar. Kemi një sistem drejtësie të kalbur këmbë e kokë. Kemi një burrokraci të korruptuar e të politizuar deri në palcë. Kemi një politikë të shtrirë si kancer në trupin e shoqërisë dhe që kontrollon cdo fushë të jetës së saj, të cilës po i imponohet me keq se në kohën e komunizmit. Ndërsa kuptojnë realisht se ku jetojnë, shqiptarët kanë kuptuar edhe se janë gjithnjë e më pak të fuqishëm të ndikojnë në mjedisin politik të vendit të tyre, në kushtet kur është paraja që vendos për cdo gjë. Ata kanë kuptuar se më shumë se cdo gjë, këtu nuk ka shpresë. Dhe kjo është më e trishtueshme se cdo mjerim ekonomik dhe po aq e keqe sa edhe një luftë. Në fakt kjo është lufta që i ndjek ata të ikin nga vendi i tyre. Ky është “ISIS”-i që i ka pushtuar qytetin e fshatin dhe i kërcënon cdo ditë.
Botuar ne “Gazeta Shqiptare”
Nov 15, 2024 0
Nov 11, 2024 0
Jan 29, 2024 0
Jan 08, 2024 0
Oct 16, 2015 0
Jul 23, 2015 0
Jul 15, 2015 0
Jul 15, 2015 0
Oct 16, 2015 0
Mentor Kikia——- Mjafton ta lexosh me vëmendje letrën, që deputeti Spartak Braho, në cilësinë e kryetarit të komisonit parlamentar për sigurinë kombëtare, u ka dërguar krerëve më të lartë të...