Zgjedhjet vendore përfunduan, por bisedimet mes aleatëve nuk kanë përfunduar. Tashmë është radha e ndarjes së pushtetit. Reforma territoriale e shkurton administratën me rreth 32 mije përsona(kaq u tha të paktën në kohën kur qeveria po përpiqej të bindte popullin mbi përfitimet nga ndarja e re). Nuk do të ketë këshilla komunash e njësishë bashkiake, kryetarë e nënkryetare dhe deri shefa burimesh njerëzore në njësi edhe me 15 nëpunës, e parazitë të tjerë që mbushin zyrat duke u paguar me paratë publike. Të parët e fshatit tashmë nuk zgjidhen por do të emërohen dhe do të quhen administratorë. Ata do të komandojnë një staf minimal nëpunësish që do të punojnë për ofrimin e shërbimeve bazë si gjendja civile, shërbimi veterinar, agronomik, etj.
Mazhoranca qeverisë, sic e dimë ka marrë shumicën derrmuese të njësive vendore. Frika nga humbja apo mania për të maksimalizuar fitoren e pritshme, bëri që Rama të mblidhte rreth vetes një koalicion shumë të gjërë partishë. Shumica prej tyre janë garniturë e gatshmë që u bashkëngjitet cdo sofre ku ulen fituesit e mundshëm, dhe për pasojë ata pak gjasa kanë të marrin pjesë në gostinë e ndarjes së pushtetit. Por disa prej partive që kanë kontribuar në mbushjen me vota të “thesit” të fituesve, do të kërkojnë doemos tashmë pjesën e tyre nga pushteti. Parë në këtë kontekst, mund të themi se kësaj radhe është zvogëluar kazani(pasi ka rënë numri i nëpunësve) dhe janë shtuar lugët që duan të hanë.
Por si do të ndahet pushteti? Padyshim që të gjithë duan të jenë pjesë e tij dhe zakonisht ndarja e plaçkës është po aq e vështirë sa edhe lufta për ta fituar atë. LSI ka paralajmëruar se do të kërkojë pjesë nga pushteti në raport me votat që ka marrë në cdo bashki ku ka fituar koalicioni qeverisës. Megjithatë nuk besoj se ndarja e pushtetit vendor mes Ramës, Metës, Idrizit, Topit apo anëtarëve të tjerë të skuadrës fituese, është një hall që na preokupon shumë, pasi ata kanë vendosur ta gjejnë gjuhën e përbashkët edhe për disa kohë. Po kështu edhe partitë në kampin tjetër, ku pushteti do të ndahet kryesisht mes PD-së dhe PR-së. Por mënyra se si do të bëhet kjo ndarje padyshim që na preokupon dhe na shqetëson. Kjo për faktin se nga cilësia e njerëzve që do të përzgjidhen në strukturën e re qeverisëse do të varet edhe cilësia e qeverisjes.
Për herë të parë, kryetarët e bashkive do të përballen me qeverisjen e një territori kaq të madh, për herë të parë do të kenë kompetenca më të gjera dhe do të admnistrojnë pasuritë natyrore të territoreve që qeverisin. Kjo do të thotë se qytetarët do të kenë më shumë arsye të drejtojnë gishtin e akuzësn ndaj kryetarit të bashkisë sesa ndaj kryeministrit, nëse mbeten të zhgënjyer. Rritja e vetëdijes qytetare ka bërë gjithashtu që qytetarët të jenë më të vëmendëshëm dhe më kërkues ndaj pushtetit dhe kryetarët e bashkive nuk do ta kenë shumë të lehtë të fusin në thes e të hedhin në lumë premtimet që bënë gjatë fushatës. Por si dhe kush do ta ndërtojë administratën e re vendore? Kryetari- mund të themi shpejt e shpejt të gjithë. Por nuk është plotësisht kështu. Nëse një bashki e drejton kryetari i PS-së, atëherë ai do të jetë i detyruar të marrë, në varësi të votës, 40%(p.sh) të administratës nga LSI, 15% nga PDIU, e më tej një pjesë nga partia e Topit, Milos, e kështu me radhë. Dhe këtu përfshihen që nga drejtorët deri tek pastrueset e shkollës së fshatit, qendrës shëndetësore dhe gjithë strukturave të tjera që pushteti vendor do të ketë nën vartësi me ligjin e ri që do të miratohet. Në e dimë, se këta njerëz, nuk do ti zgjedhin kryetarët, ashtu sic Rama nuk zgjodhi ministrat dhe gjithë nëpunësit që mbajnë teserën e LSI-së, apo drejtorët e nëpunësit qe mbajnë teserën e PDIU-së. Pra më shumë se gjysmën e amdinistratës nuk do ta emërojë kryetari i bashkisë por partitë respektive të cilat janë sot në luftë për të siguruar vende pune për militantët e tyre.
E keqja e parë është se partitë nuk do të zgjedhin më të aftët aty, por ata që kanë punuar më shumë në fushatë, sipas parimit të përhershëm të rekrutimit të administratës në Shqipëri.
E keqja e dytë është se nëpunësit e partive të tjera s’para u japin llogari drejtuesve të tyre zyrtarë, drejtorë, kryetarë bashkishë apo ministra qofshin, por kryetarëve të partive të tyre, duke krijuar një qeverisje paralele, apo të dyfishtë. Nëse në qeverisjen qëndrore kjo ndarje nuk ndjehet shumë apo nuk ka efekte të drejtëpërdrejta, në pushtetin vendor efektet do të jetë shumë të ndjeshme tek njerëzit.
Për këtë arsye pushteti vendor nuk duhet trajtuar si plaçë e bërë në grup dhe që duhet ndarë sipas kontributit të secilit anëtar të grupit, por megjithë qeverisjen në koalicion, rekrutimet duhet të bëhen sipas kritereve ligjore bazuar në meritokraci. Gjithashtu, kryetari, i cili është përgjegjës i drejtëpërdrejtë për suksesin dhe dështimin e qeverisjes, nuk duhet të pranojë ti bëjnë listat e drejtuesve dhe nëpunësve zyrat e partive, por të përdorin të gjithë forcën që i jep vota për të refuzuar drejtorët militantë që shndërrohen menjëherë në gjobëvënës ordinerë, të cilët vjedhin sa për llogari të tyre, sa për llogari të partisë të cilës i përkasin.
Jan 29, 2024 0
Jan 08, 2024 0
Jan 08, 2024 0
Jan 08, 2024 0
Oct 16, 2015 0
Aug 23, 2015 0
Jul 15, 2015 0
Jul 15, 2015 0
Oct 16, 2015 0
Mentor Kikia——- Mjafton ta lexosh me vëmendje letrën, që deputeti Spartak Braho, në cilësinë e kryetarit të komisonit parlamentar për sigurinë kombëtare, u ka dërguar krerëve më të lartë të...